
Shqiptari i Dinamo Zagrebit, Arbër Hoxha, është kthyer në njërin prej protagonistëve kryesorë të javës së fundit, duke shkëlqyer në dy ndeshje të mëdha – kundër Hajdukut dhe Fenerbahçes.
Në derbin e zjarrtë në Poljud, Hoxha shënoi një gol dhe u bë rrezik konstant për mbrojtjen e vendasve, ndërsa vetëm katër ditë më vonë, ndaj Fenerbahçes, ai dhuroi një paraqitje të shkëlqyer me asistime, depërtime dhe punë të palodhur në fushë. Performanca e tij e befasoi edhe trajnerin e turqve, Domenico Tedesco, i cili pranoi se nuk e priste shqiptarin në formacionin titullar të Dinamos.
Ky shpërthim vjen pas një periudhe të gjatë ku Hoxha ishte parë më shumë si opsion i dytë, shpesh i hedhur në fushë nga stoli, por rrallëherë i besuar për ndeshje radhazi. Ai kishte treguar potencial me gola dhe lëvizje të rëndësishme edhe më parë, por asnjëherë nuk arriti të gjejë vazhdimësinë e duhur.
Në verë, kur shumëkush mendonte se ai do të largohej, Hoxha vendosi të qëndrojë te Dinamo, duke theksuar: “Dua të luaj këtu, është ëndrra ime të tregoj se sa vlej”. Vendim që po rezulton i suksesshëm.
Trajneri i Dinamos, Mario Kovaçeviq, e surprizoi opinionin duke e përfshirë në formacionin bazë ndaj Hajdukut, vendim që rezultoi i goditur. Ai ia dha besimin edhe kundër Fenerbahçes, dhe shqiptari e shpërbleu me një tjetër performancë të madhe.
Hoxha është një lojtar i vështirë për t’u përshkruar: një ditë duket i pandalshëm, me shpejtësi dhe depërtime të frikshme, ndërsa ditën tjetër mund të mungojë finesa e fundit. Por një gjë është e sigurt – ai asnjëherë nuk i tradhton bashkëlojtarët me përkushtim dhe zemër të madhe në fushë.
Tribunat shpesh kanë ndryshuar mendim për të, nga britmat “nxirre jashtë” tek ovacionet “bravo, mjeshtër”. Megjithatë, me këto dy ndeshje ai ka fituar diçka shumë të rëndësishme: besimin e tifozëve dhe respektin e trajnerit.
Mbetet për t’u parë nëse këto paraqitje do ta kthejnë Arbër Hoxhën në një titullar të rregullt te Dinamo, apo nëse ai do të mbetet thjesht një “kartë surprizë” nga stoli. Por një gjë është e qartë – në Maksimir nuk mund ta anashkalojnë më shqiptarin.