Bayern Munich ka vendosur rekord historik europian me 14 fitore radhazi

Bayern Munich ka hyrë në historinë e futbollit europian duke u bërë skuadra e parë nga pesë ligat kryesore që fiton 14 ndeshje radhazi në nisje të një sezoni, pas fitores 4-1 ndaj Koln në Kupën e Gjermanisë të mërkurën.

Nën drejtimin e Vincent Kompany, bavarezët kanë fituar çdo ndeshje të zhvilluar në Bundesliga, Kupën e Gjermanisë dhe Ligën e Kampionëve gjatë sezonit 2025-26. Me këtë sukses, ata lanë pas rekordin e mëparshëm prej 13 fitoresh të njëpasnjëshme që mbahej nga AC Milan në sezonin 1992-93.

Në ndeshjen ndaj Köln, Bayern u ndodh në disavantazh për herë të parë që prej korrikut, kur Ragnar Ache realizoi me kokë në minutën e 31-të. Megjithatë, reagimi i kampionëve ishte i menjëhershëm: Luis Díaz barazoi (ndonëse në pozicion të dyshimtë jashtë loje) dhe Harry Kane shënoi një gol të mrekullueshëm vetëm dy minuta më pas.

Kane e rriti epërsinë me një tjetër gol me kokë nga goditje këndi, duke çuar në 22 numrin e golave të tij për Bayernin këtë sezon në vetëm 14 ndeshje. Diaz asistoi më pas Michael Olise në një kundërsulm për golin e katërt.

Ky sukses spektakolar konfirmon formën e jashtëzakonshme të Bayernit dhe e kthen skuadrën e Kompanys në një pretendent serioz për trofetë më të rëndësishëm në Europë këtë sezon.