Bleart Tolaj shpallet Ylli i Javës në Superligën e Kosovës për javën e 11-të

Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ka ndarë çmimin tradicional “Ylli i Javës” për javën e 11-të të kampionatit.

Këtë herë, vlerësimi i është dhënë sulmuesit të FC Ballkanit, Bleart Tolaj, i cili shkëlqeu në fitoren bindëse 0:5 ndaj Malishevës në ndeshjen e zhvilluar në transfertë, duke realizuar dy gola.

Përzgjedhja është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i përbërë nga Naser Bunjaku, Shyqeri Salihu dhe Zenel Shabani.

Pas marrjes së çmimit, Tolaj u shpreh i kënaqur me vlerësimin, duke theksuar rëndësinë e atmosferës pozitive brenda ekipit dhe objektivin e qartë për titull kampioni:
“Ndeshjet ndaj Malishevës zakonisht janë të vështira, prandaj nuk e kemi pritur një fitore kaq të thellë. Atmosfera në skuadër është shumë e mirë, sepse rezultatet po na ecin. Jemi në rrugë të mbarë për ta realizuar qëllimin tonë – të shpallemi kampionë.
Jam mirënjohës për mbështetjen nga ekipi dhe është nder i madh të shpallem ‘Ylli i Javës’, sidomos në një edicion me kaq shumë cilësi individuale”, u shpreh ai për faqen zyrtare të FFK-së.