Borussia Dortmund e huazon Diant Ramajn, portieri mbetet në Bundesliga

Diant Ramaj

Diant Ramaj nuk do të paraqitet për Borussia Dortmundin në sezonin e ri, por megjithatë do të mbetet pjesë e Bundesligës gjermane.

Portieri kosovar është huazuar për një vit nga Dortmundi te Heidenheim, një marrëveshje që është arritur të hënën pas lëndimit të portierit titullar të Heidenheimit, Frank Feller.

23-vjeçari rikthehet kështu te një skuadër të cilën e njeh mirë, pasi ka qenë pjesë e Heidenheimit më herët, nga viti 2018 deri më 2021.

Pas periudhës së parë te Heidenheim, Ramaj vazhdoi karrierën te Eintracht Frankfurt e më pas te Ajax. Në janar të këtij viti nënshkroi me Borussia Dortmundin, me të cilin ka kontratë deri në qershor të vitit 2029.

Menjëherë pas transferimit te Dortmundi, ai u huazua te Copenhageni në Danimarkë, ku e përfundoi sezonin me sukses, duke fituar titullin e kampionit dhe Kupën e Danimarkës.

Ramaj ka qenë pjesë e përfaqësueses gjermane në grupmoshat U18, U19 dhe U20, ndërsa synon të veshë fanellën e ekipit A në të ardhmen.

“Jam i lumtur që kthimi në Heidenheim për kampionatin e ardhshëm është realizuar. Kam mësuar shumë këtu dhe jam i lumtur të dëshmoj veten në Bundesligë me klubin ku isha më herët. Do të jap më të mirën që skuadra të mbetet në elitë”, deklaroi Ramaj.