Brajan Gruda: I ri, i uritur dhe tani shumë më lart në hierarkinë e numrit 10 te Brightoni

Bryan Gruda

Brajan Gruda po ngjitet me shpejtësi në listën e kandidatëve për të marrë rolin e numrit 10 te Brighton & Hove Albion.

Mesfushori ofensiv shqiptar ka fituar terren pas dy paraqitjeve vendimtare në këtë pozitë, ku shënoi dy gola në po aq ndeshje, ka shkruar të premten “The Athletic” në një analizë të gjatë për talentin 21-vjeçar.

Në ndeshjen e fundit të Premier League para pauzës së përfaqësueseve, Gruda hyri nga banka rezervë dhe i dha fitoren 2:1 Brightonit ndaj Manchester Cityt në “Amex Stadium”. Vetëm tri ditë më herët, ai ishte titullar dhe shënoi në triumfin 6:0 ndaj Oxford Unitedit në raundin e dytë të “Carabao Cup”.

Gruda

Pas mbylljes së afatit kalimtar, perspektiva e Grudës në klub duket edhe më e ndritur. Julio Enciso u transferua te Strasbourgu, ndërsa Matt O’Riley dhe Facundo Buonanotte u huazuan te Marseille dhe Chelsea. Edhe Joao Pedro, një tjetër lojtar që mund të luajë në rolin e 10-shit, kaloi në Chelsea gjatë verës.

Aktualisht, konkurrenca e drejtpërdrejtë e Grudës në këtë pozitë mbetet Georginio Rutter, Diego Gomez dhe ndoshta edhe Charalampos Kostoulas. Gjithsesi, Gruda mund të përdoret edhe në krah, pozitë në të cilën ka luajtur shpesh për të rinjtë e Gjermanisë dhe në shumicën e 29 paraqitjeve me Brightonin qëkur u transferua nga Mainzi për afro 32 milionë euro në verën e kaluar.

Ai së fundmi ka luajtur në atë rol edhe për Gjermaninë U21, ku asistoi në fitoren 5:0 ndaj Letonisë pas pjesëmarrjes si titullar në ndeshjen ndaj Shqipërisë.

Brighton

“Për mua nuk ka rëndësi nëse luaj në krahun e djathtë apo në pozitën e 10-shit”, deklaroi Gruda pas ndeshjes ndaj Cityt. “Unë vetëm dua të luaj. Në këtë pozitë kam shënuar dy gola dhe ndoshta është më mirë se në krah. Gjithmonë kam ëndërruar të luaj në Angli, është liga më e fortë në botë dhe një mundësi fantastike. Fillimi ishte i vështirë për mua në një shtet e klub të ri, por tani ndihem 100 për qind gati. Duhet vetëm ta tregoj në fushë”.

Trajneri Fabian Hürzeler e lavdëroi mesfushorin shqiptar pas ndeshjes ndaj Cityt: “Gruda mund të jetë vendimtar për çdo klub në botë”.

Vetë Gruda pranoi se fitorja ndaj kampionëve i ka dhënë shumë besim:
“Kjo më jep shumë vetëbesim dhe ka ardhur në kohën e duhur. Natyrisht duhet edhe fati, por nëse punon fort çdo gjë mund të funksionojë. Duhet të jesh i përqendruar çdo ditë”.

Liverpoo – Brighton

Ai theksoi edhe rëndësinë e eksperiencës së James Milnerit, i cili shënoi nga penalltia ndaj Cityt. “Çdo ditë në stërvitje Milneri më ndihmon 100 për qind. Nëse bëj gabime, ai më korrigjon menjëherë. Është shumë i rëndësishëm për mua dhe jam me fat që e kam në skuadër”.

Në një ekip me plot talente, Gruda e di se vetëm intensiteti dhe përkushtimi i plotë mund të bindin trajnerin.
“Hürzeler na kërkon të bëjmë vrapime, të ndjekim topin dhe të ushtrojmë presion të lartë, pa marrë parasysh kundërshtarin. Kjo është më e rëndësishmja”, përfundoi futbollisti shqiptar.