Prishtina - Plisat

Në klubin më të titulluar të basketbollit kosovar, KB Prishtina, duket se po përvijohen tensione të reja të brendshme dhe jashtë parketit. Pas largimit të qendrës Muhamedali Janjeva, situata është komplikuar më tej, ndërsa mbështetësit e flaktë të skuadrës – “Plisat” – duket se kanë nisur një kapitull të ri kritikash ndaj drejtuesve të klubit.

Muhamedali Janjeva nënshkruan me Bashkimin – debutimi pritet ndaj Pejës?!

Në ndeshjen e fundit të Superligës ndaj KB Pejës, ku pejanët regjistruan fitoren e pestë radhazi, grupi i tifozëve “Plisat” ngriti një pano me përmbajtje fyese, drejtuar anëtarit të bordit dhe ish-basketbollistit Florian Miftari.

Sipas burimeve të Kërlaçki, incidenti nuk u kufizua vetëm në pankartën e shfaqur në palestër. Thuhet se ka pasur edhe përplasje verbale mes tifozëve dhe përfaqësuesve të klubit, gjë që ka alarmuar autoritetet.

Policia e Kosovës, sipas burimit të Kërlaçkit, mund të ketë nisur hetimet lidhur me ngjarjen e mbrëmshme në Pallatin e Sporteve në Prishtinë.

Burime të afërta me redaksinë bëjnë të ditur se në këtë situatë të tensionuar mund të jetë i përfshirë edhe një ish-drejtor i klubit.

Nuk është hera e parë që “Plisat” shprehin hapur pakënaqësinë e tyre ndaj drejtuesve. Kujtojmë se në ndeshjen ndaj Dinamo Zagrebit, ata kishin brohoritur emrin e ish-kryetarit të klubit, i cili ishte i pranishëm në tribunat e palestrës.

Kerlaçki ka arritur të mësojë përmendjen e disa emrave të përfshirë në këtë konflikt të brendshëm, por në mungesë të konfirmimeve zyrtare dhe provave konkrete, zgjedhim të mos i publikojmë për momentin.

Mbetet të shihet në ditët në vijim se si do të zhvillohet kjo situatë dhe nëse do të ketë reagime zyrtare nga klubi apo grupi i tifozëve.

KB Prishtinës i mungon titulli i kampionit që nga viti 2019.