
Skuadra e sapo ngjitur në Serie A, Cremonese, ka nisur negociatat me sulmuesin legjendar të Leicester Cityt, Jamie Vardy (38), i cili është aktualisht lojtar i lirë pas përfundimit të kontratës me klubin anglez, raporton Sky Sport Italia, përcjellë Kërlaçki.
Edhe pse në janar festoi 38-vjetorin, Vardy beson se ende ka kapacitet për të konkurruar në nivelet më të larta. Pas 13 vitesh në Leicester, ku shkroi histori duke fituar Premier Leaguen në vitin 2016 nën drejtimin e Claudio Ranierit, ai është tani i hapur për sfida të reja – dhe Serie A mund të jetë pikërisht ajo e radhës.
Vardy te Cremonese?
Cremonese u rikthye këtë sezon në elitën e futbollit italian pas suksesit në fazën play-off, dhe tani drejtohet nga Davide Nicola – një trajner i njohur për aftësinë për të mbajtur skuadrat në kategori. Starti i sezonit ka qenë mbresëlënës, me një fitore surprizë 1:2 në transfertë ndaj Milanit.
Eksperti i merkatos Gianluca Di Marzio ka konfirmuar se bisedimet janë në zhvillim e sipër dhe se Cremonese po bën përpjekje serioze për të bindur Vardyn që Italia është destinacioni i duhur për vijimin e karrierës së tij.
Synimet e mëdha të Cremoneses
Vardy nuk është i vetmi emër i madh që lidhet me Cremonesen. Klubi është gjithashtu pranë arritjes së një marrëveshjeje huazimi me të drejtë blerjeje për sulmuesin kamerunas Faris Moumbagna (25) nga Olympique Marseille.