Drita me fitoren e parë në Skenderaj – AEK mbetet e pamposhtur

KVF Drita
KVF Drita

Turneu ballkanik i volejbollit për femra, BVA Cup 2025, që po zhvillohet në palestrën “Ilaz Kodra” në Skenderaj, po i afrohet përmbylljes me duele vendimtare. KV Drita, që regjistroi fitoren e parë.

Drita me dominim të plotë ndaj Fit Fun Volley 

Skuadra jonë KV Drita realizoi një paraqitje të shkëlqyer në përballjen me OK Fit Fun Volley (Maqedonia e Veriut), duke fituar me rezultat të pastër 3:0 (25-10, 25-14, 25-12). Nën mbështetjen e tifozëve lokalë, vajzat e Dritës dominuan në çdo element të lojës: shërbim, bllokadë, mbrojtje dhe sulm, duke dëshmuar progres të qartë nga ndeshja në ndeshje.

Sfida e fundit për Dritën do të jetë të enjten, ndaj skuadrës greke AEK Athina, që deri më tani mbetet e pamposhtur dhe favorite për të fituar turneun.

AEK Athina konfirmon dominimin – kërkon mbyllje perfekte ndaj Dritës

Në ndeshjen tjetër të ditës, AEK Athina (Greqi) triumfoi ndaj OK Herceg Novi (Mali i Zi) me rezultatin 3:0 (25-16, 25-20, 25-18), duke regjistruar fitoren e dytë radhazi në BVA Cup 2025. Ekipi grek dominoi ndeshjen me një organizim të lartë taktik dhe mbrojtje të qëndrueshme, duke e mbajtur kontrollin nga fillimi deri në fund.

Me këtë fitore, AEK udhëheq klasifikimin dhe është vetëm një hap larg kurorëzimit të padiskutueshëm si kampione e turneut. Përballja e fundit ndaj Dritës pritet të sjellë emocione të veçanta, si për rezultatin final, ashtu edhe për atmosferën në Skenderaj.

Ndërkohë, OK Herceg Novi do të kërkojë rikthimin te fitorja ndaj Fit Fun Volley, në përmbylljen e garës të enjten.