
Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, është vetëm dy ndeshje larg një kualifikimi historik në fazën e grupeve të UEFA Europa Conference League – kompeticioni i tretë më i rëndësishëm evropian për klube.
Përveç aspektit sportiv, një kualifikim i tillë do të kishte rëndësi të madhe edhe financiare për klubin nga Gjilani.
Nëse arrin të kalojë fazën “play-off”, Drita do të përfitojë 3 milionë e 170 mijë euro nga UEFA – një shumë e garantuar për çdo skuadër pjesëmarrëse në grupet e Conference League.
Për të siguruar këtë sukses, Drita duhet të eliminojë skuadrën Differdange nga Luksemburgu.
Ndeshja e parë zhvillohet të enjten, më 22 gusht, nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa ajo e kthimit do të luhet një javë më vonë në Luksemburg.
Nëse kualifikohet, Drita do të luajë gjashtë ndeshje në fazën e grupeve – secila ndaj një kundërshtari të ndryshëm.
Fitoret në këtë fazë shpërblehen me 400 mijë euro, ndërsa barazimet me 133 mijë euro, çka mund ta rrisë ndjeshëm përfitimin financiar të klubit në rast paraqitjesh të mira.
