Atmosferë e zjarrtë dhe tension i madh në stadiumin e Rrogozhinës, ku Egnatia dhe Olimpija Ljubljana kanë mbyllur në barazim 1-1 pjesën e parë të sfidës kthyese të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Takimi nisi me ritëm të lartë dhe polemika të shumta. Rrogozhinasit shënuan plot tre herë në 6 minutat e para, por dy herë goli u anulua për pozicion jashtë loje, ndërsa në të tretën, në minutën e 6-të, Lushkja gjeti rrjetën pas një aksioni të rrjedhshëm, duke çuar në festë tifozët vendas.
Olimpija, e befasuar nga presioni i vendasve, u hodh më pas në sulm dhe arriti të barazojë në minutën e 32-të. Pas një goditje këndi, Jelenkoviç u la i lirë në zonë dhe me kokë mposhti Dajsinanin, duke i dhënë një goditje të befasishme Egnatias, e cila deri atëherë kishte kontrolluar lojën.
Pjesa e parë u mbyll me miqtë më ofensivë, duke rrezikuar dy herë nga goditjet e këndit, ndërsa Egnatia shfaqi nervozizëm dhe kërkonte rikthimin e epërsisë. Me rezultatin e përgjithshëm ende të hapur pas 0-0 në ndeshjen e parë, 45 minutat e dyta pritet të jenë vendimtare për fatin e kualifikimit.