FIFA përballet me padi penale kolektive në emër të 100.000 futbollistëve – nisma nis nga Danimarka

Gianni Infantino
Gianni Infantino

Një padi penale kolektive është dorëzuar kundër FIFA-s dhe pesë organizatave të tjera futbollistike nga Fondacioni “Drejtësi për Lojtarët” në Danimarkë, në emër të 100.000 futbollistëve. Padia pason një vendim të rëndësishëm të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, që zbuloi shkelje serioze të të drejtave të punës dhe tregut.

Fondacioni kërkon kompensim për lojtarët që mund të kenë humbur të ardhura ose një pjesë të tyre për shkak të politikave të transferimeve dhe rregullave kufizuese të aplikuara ndër vite.

Përmes një deklarate publike, fondacioni u bën thirrje të gjithë futbollistëve dhe futbollisteve që kanë luajtur në Bashkimin Evropian ose në Mbretërinë e Bashkuar që nga viti 2002, që t’i bashkohen kësaj padie kolektive.

Baza ligjore e padisë qëndron në një vendim të vitit të kaluar të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, në rastin e ish-mesfushorit të Real Madridit, Lassana Diarra.

Diarra kishte tentuar të ndërpriste kontratën me Lokomotiva të Moskës për t’u transferuar te Charleroi në Belgjikë, por rregullat e FIFA-s në atë kohë mund ta pengonin këtë lëvizje.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë vendosi se rregullat e FIFA-s janë të paligjshme, pasi kufizojnë lirinë e lojtarëve për të ndërprerë kontratat pa arsye “të justifikuar”, duke shkelur kështu të drejtën themelore për lëvizje të lirë të punëtorëve brenda Bashkimit Evropian.

Fondacioni deklaroi se përmes kësaj padie synon të mbrojë të drejtat e lojtarëve që janë privuar nga të ardhurat e tyre si pasojë e këtyre rregullave të ashpra për transferime dhe ndërprerje kontratash, që i konsideron në kundërshtim me ligjin evropian.