Flamurtari befason Vllazninë, fitorja e parë kundër liderit!

Flamurtari ka arritur një fitore të papritur, por të vlefshme ndaj kryesueses së Superiores, Vllaznisë, me rezultatin minimal 1-0, në ndeshjen e zhvilluar sot në Vlorë.

Vlonjatët e vendit të fundit u përballën me kuqeblutë e trajnerit Martini, që vinin pas fitores në “Klasiken” ndaj Tiranës, ndërsa Flamurtari pas humbjes ndaj Teutës.

Goli i vetëm i ndeshjes u realizua në minutën e 76-të nga Marku, i cili realizoi me penallti. Ky penalti erdhi pas një episodi të pazakontë në minutën e 73-të: Bolzan shënoi për Flamurtarin, por gjyqtari Lataj anuloi golin dhe akordoi penallti për prekje me dorë të Gurishtës, duke i dhënë vlonjatëve mundësinë të kalojnë në avantazh.

Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndonëse të dyja skuadrat patën raste të rrezikshme. Në pjesën e dytë, intensiteti u rrit dhe loja u karakterizua nga ndërhyrje të shumta, ndëshkime me kartonë dhe zëvendësime të vazhdueshme nga të dyja palët.

Vllaznia tentoi të rikthehej në lojë në minutat e fundit, por pa sukses, duke pësuar kështu humbjen e dytë sezonale, ndërsa Flamurtari merr fitoren e parë për këtë edicion, që e ngre moralin e skuadrës së drejtuar nga Moriero.

Flamurtari tregon se ende nuk është dorëzuar në garën për mbijetesë, ndërsa Vllaznia do të duhet të reagojë për të ruajtur kreun e klasifikimit.

Standings provided by Sofascore