
Ndeshja e shumëpritur mes Kombëtares së Kosovës dhe Sllovenisë, që do të zhvillohet këtë të premte në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, do të gjykohet nga një trupë gjyqtarësh italian.
Sipas emërimit nga UEFA, drejtësinë në fushë do ta ndajë Marco Guido nga Italia, ndërsa ndihmës të tij do të jenë Giorgio Peretti dhe Giuseppe Perrotti. Detyrën e gjyqtarit të katërt do ta mbajë Daniele Chiffi.
Teknologjia VAR do të jetë gjithashtu nën drejtimin e italianëve – Marco Di Bello do të jetë Video Assistant Referee, ndërsa Valerio Marini do të shërbejë si asistent i VAR-it.
Përballja që pritet me interes të madh nga publiku u shit plotësisht brenda pak orësh, ndërsa rreth 14 mijë tifozë do të mbushin shkallët e “Fadil Vokrrit” për të mbështetur “Dardanët” në një duel të rëndësishëm kualifikues për Kupën e Botës 2026.
Pas ndeshjes në Prishtinë, Sllovenia do të presë Zvicrën në stadiumin “Stozhice”, ndërsa në nëntor do të zhvillojë edhe dy sfidat e fundit – në shtëpi kundër Kosovës dhe në udhëtim ndaj Suedisë.
Fituesi i grupit siguron biletën direkte për Botërorin 2026, ndërsa skuadra e vendit të dytë do të kërkojë kualifikimin përmes play-off-it.