
Drita është ndëshkuar rëndë në pjesën e parë të sfidës kundër FCSB-së, duke pësuar dy gola të hershëm në “Fadil Vokrri”, në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. Pavarësisht disa përpjekjeve për reagim, skuadra kosovare e mbylli pjesën e parë në disavantazh 0-2, duke vënë veten në një pozitë të vështirë për kualifikim.
Kronikë pjesa e parë:
Vetëm 26 sekonda i mjaftuan FCSB-së për të shënuar golin e parë: një harkim nga e djathta gjeti të lirë Cisotti, i cili me kokë mposhti portierin Maloku dhe tronditi stadiumin “Fadil Vokrri”. Vetëm pak minuta më vonë, në minutën e 4-të, Miculescu kërcënoi sërish me një goditje të fuqishme nga qendra, por topi kaloi mbi traversë.
Drita u përpoq të reagonte me një goditje të fortë nga distanca të Limajt në minutën e 12-të, por portieri rumun reagoi me grushtim të sigurt. Në të 14-në, Pantea lëshoi një tjetër predhë nga jashtë zonës, që përfundoi mbi tra, duke mbajtur tensionin të lartë.
Rumanët e FCSB-së nuk ndalën dhe në minutën e 17-të dyfishuan avantazhin. Birligea asistoi për Miculescun, i cili mposhti Malokun me një goditje të saktë në tokë, duke përfituar nga një tjetër reagim i vonuar i mbrojtjes së Dritës.
Në të 19-tën, Besnik Krasniqi humbi një rast të mirë për Dritën, kur nuk arriti të kontrollojë siç duhet një top pranë portës dhe ky përfundoi jashtë.
Pjesa e parë u mbyll me epërsi të merituar 0-2 për FCSB-në, ndërsa Drita do të duhet të bëjë një ndeshje të madhe në pjesën e dytë për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit.