
Janë zhvilluar të shtunën mbrëma ndeshjet e xhiros së parë të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.
Ndeshja e parë ishte ajo mes Trepçës dhe Besa Famgasit. Skuadra pejane dominoi plotësisht në pjesën e parë dhe e mbylli çështjen e fituesit. Në fund rezultati ishte 38:21 në të mirë të Besës.
Deniz Terziqi, Ahmed Zayan Amr Ali dhe Hamed Ahmed Khamis i shënuan nga tetë gola për Besa Famgasin. Te Trepça shtatë gola i shënoi Amar Mujka e pesë Sali Maxhera.
Më së shumti rivalitet kishte në Gjakovë ku u përballën Vëllaznimi e Llapi. Skuadra gjakovare u kthye në Superligë me fitoren 40:32.
Arbër Neziri i shënoi 14 gola për Vëllaznimin, ndërsa Florian Rexha kontribuoi me gjashtë. Te llapjanët më efikasi ishte Enis Rexhepi me shtatë gola. Pesë i shënoi Etnik Bajoku.
Rahoveci e nisi mbrojtjen e titullit të kampionit me fitoren 58:24 ndaj Vushtrrisë.
Ardit Tafilaj me 12 gola dhe Granit Kadiri me 10 u shquan me efikasitet te “vreshtarët”. Te Vushtrria shtatë gola i shënoi Egzon Ademi e gjashtë Muhamed Halili.
Bindshëm fitoi edhe Kastrioti ndaj Prishtinës, 48:32. Festim Mustafa me tetë dhe Elion Goçi e Adonit Isufi me nga shtatë gola u shquan te ferizajasit. Albi Gjuka i shënoi 16 gola për Prishtinën, kurse pesë i realizoi Enis Kuleta.