
Trajneri i ekipit shqiptar që do të përballet me Jagiellonia Białystok në raundin “play-off” të Ligës së Konferencës, Ilir Daja, ka folur sot në një konferencë për shtyp, duke vlerësuar kundërshtarin dhe njëkohësisht duke theksuar përkushtimin e skuadrës së tij për të arritur një rezultat pozitiv.
“Po e nis me një kujtesë të shkurtër: Jagiellonia bëri shumë mirë vitin e kaluar në Ligën e Konferencës, ku sipas informacioneve që kam, u eliminua në çerekfinale. Është një ndër ekipet më të forta të Polonisë, me një organizim të mirë në të dyja fazat e lojës – mbrojtje dhe sulm. Kjo, si meritë e stafit teknik. Gjithashtu, ata kanë gjithmonë përkrahjen e fuqishme të tifozëve të tyre”, u shpreh Daja.
Trajneri shqiptar vuri theksin te rëndësia e përgatitjes maksimale përballë një kundërshtari të vështirë: “E dimë se ekipet që arrijnë në këtë fazë të kompeticionit janë skuadra që e meritojnë dhe padyshim, Jagiellonia është njëra prej tyre. Për ne, kjo ndeshje kërkon shumë përkushtim dhe sakrificë.”
Daja ndaloi edhe te mungesat e rëndësishme që ka skuadra e tij: “Mandela dhe Zabërgja ishin dy prej golashënuesve tanë më të mirë sezonin e kaluar, por tashmë janë transferuar në Ukrainë dhe ne u urojmë suksese. Sigurisht, kohën për zëvendësim e kemi pasur të kufizuar, por kemi bërë një afrim të ri në merkato, i cili mund të jetë në fushë nesër.”
Duke krahasuar kundërshtarët, Daja nuk deshi të hyjë në detaje: “Hajduku dhe Jagiellonia janë të dyja skuadra të forta. Ku ndryshojnë mes tyre? Do preferoja të mos i veçoj tani, pasi nesër kemi përballë Jagielloninë.”
Në përfundim, tekniku nënvizoi se e gjithë përqendrimi është te ndeshja e parë: “Të gjitha energjitë tona janë të përqendruara te sfida e nesërme. Një rezultat pozitiv do të na ndihmonte shumë, edhe për sa i përket mbështetjes nga tifozët në ndeshjen e kthimit.”