Liridon Balaj ka fituar zemrat e “Intelektualëve” me paraqitjet e tij të jashtëzakonshme ndaj Differdange 03 në raundin e parë të Ligës së Kampionëve.
Si sulmues krahu, Balaj ishte një makth për mbrojtjen kundërshtare në të dy ndeshjet, duke qenë veçanërisht i rrezikshëm në situatat një kundër një.
Në total, ai zhvilloi 137 minuta lojë, duke regjistruar një asistim të rëndësishëm në ndeshjen e parë, ndërsa ishte konstantisht i angazhuar dhe i rrezikshëm në të dy krahët e fushës.
Me stilin e tij dinamik, energjinë dhe qasjen sulmuese, Balaj ka filluar të krahasohet nga tifozët me legjendën e klubit, Xhevdet Shabani, i njohur ndryshe si “Rrapa”.
Drita i besoi fort potencialit të tij – aq sa në momentin e firmës ia dha fanellën me numër 10, një simbolikë që tregon rëndësinë që pritet të ketë në skuadër.
Balaj ka nënshkruar kontratë me FC Drita deri në vitin 2027 dhe pritet të jetë një nga armët më të forta të skuadrës gjilanase në synimin për të depërtuar në fazën e grupeve të njërës prej garave evropiane.
Në të kaluarën, Liridon Balaj ka luajtur për KF Besa Pejë, KF Skënderbeu, FC Aarau, FC Schaffhausen, KMSK Deinze dhe aktualisht për FC Drita.
Hinterlasse jetzt einen Kommentar