
Të enjten, më 21 gusht, në orën 20:15, Jagiellonia Białystok pret Dinamo City (Tirana) në ndeshjen e parë të raundit të katërt të kualifikimeve për UEFA Europa Conference League. Takimi zhvillohet në stadiumin komunal të Białystokut dhe konsiderohet vendimtar për fatin e dy skuadrave në Evropë.
Për Jagiellonian, kjo është një mundësi historike për të siguruar pjesëmarrjen në fazën grupore të një kompeticioni evropian. Skuadra polake ka kaluar dy kundërshtarë deri më tani – Novi Pazarin dhe Silkeborgun nga Danimarka – dhe ka hyrë në këtë duel pas një serie të mirë ndeshjesh pa humbje. Mungesa më e rëndësishme në formacion do të jetë sulmuesi Dawid Drachal, i dëmtuar pak ditë para sfidës.
Dinamo vjen pas një kualifikimi surprizë kundër Hajduk Split, ku pavarësisht humbjes në ndeshjen e parë, arriti të përmbysë gjithçka në kthim, duke përfituar edhe nga kartoni i kuq i kroatëve. Skuadra shqiptare synon të vazhdojë suksesin në këtë kompeticion, megjithëse përballë do të ketë një rival me përvojë më të madhe dhe me përkrahje të fuqishme nga tifozët vendas e që pritet të mos mungojnë as në Tiranë në takimin kthyes.
Transmetimi i ndeshjes do të jetë i disponueshëm në Poloni përmes kanaleve Polsat Sport 2, Polsat Sport Premium 2, TV4 dhe në platformën online Polsat Box Go.
Ndërsa sipas kompanive të basteve, Jagiellonia shihet si favorite për të fituar, me kuotat që luhaten rreth 1.30 për fitoren e polakëve dhe mbi 10.00 për Dinamon.
Dinamo City përforcohet para sfidës me Jagiellonian – vjen sulmuesi nga Egnatia
Dinamo City ka afruar një tjetër emër të rëndësishëm në prag të sfidës europiane ndaj Jagiellonia Białystok. Klubi ka prezantuar zyrtarisht sulmuesin Saliou Guindo, i cili vjen nga Egnatia dhe i është bashkuar menjëherë grupit të drejtuar nga trajneri Ilir Daja.
28-vjeçari është një njohës i mirë i futbollit shqiptar, pasi më parë ka qenë pjesë edhe e disa skuadrave të tjera në Superiore. Përveç përvojës në Shqipëri, Guindo ka pasur edhe aventura në kampionate të huaja, çka e bën një element të vlefshëm për repartin ofensiv.
Pas afrimit të Bernard Berishës, kjo është goditja e radhës nga presidenti Adrian Bardhi, i cili po kompleton një merkato ambicioze në prag të sfidës vendimtare për kualifikimin në fazën grupore të Ligës së Konferencës.