
Jakup Berisha ishte heroi i Ferizajit në javën e parë të edicionit të ri në Superligën e Kosovës, duke realizuar golin e vetëm në fitoren 1-0 ndaj kampionëve në fuqi, Dritës. Pas ndeshjes, sulmuesi 25-vjeçar i lindur në Shkup, ekskluzivisht u shpreh për Kërlaçki i lumtur për startin perfekt të sezonit.
“Jam shumë i lumtur për fitoren dhe për golin që i dha ekipit tri pikët e arta ndaj kampionëve. Ishte një ndeshje e vështirë, por treguam karakter dhe vërtetuam se jemi skuadër me cilësi që mund të përballet me çdo kundërshtar”, tha Berisha.
Ai shtoi se angazhimi i treguar ndaj Dritës duhet të vazhdojë: “Duhet të mbajmë këtë ritëm dhe përkushtim. E kemi një grup me shumë potencial dhe besoj se mund të luftojmë me të gjithë”, tha për Kërlaçkin.
Berisha nuk harroi as përkrahjen e tifozëve: “Tifozët e Ferizajt dhe gjithë qyteti e meritojnë këtë lloj përfaqësimi. Meritojnë edhe më shumë, dhe shpresoj që në fund të sezonit t’i gëzojmë me përmbushjen e objektivit të klubit – daljen në Evropë.”
Jakup Berisha i është bashkuar këtë verë Ferizajit, pasi sezonin e kaluar luajti për Suharekën, ku regjistroi 33 paraqitje, 4 gola dhe 6 asistime. Në karrierën e tij ai ka qenë pjesë e disa skuadrave të njohura në rajon si Feronikeli, Kukësi, Pelisteri, Shkupi, Shkëndija dhe Vardari.
Goli i jashtëzakonshëm i Jakup Berishës që ia dha fitoren Ferizajt ndaj Dritës