
Pavarësisht humbjes së parë sezonale ndaj Comos, drejtuesit e Juventus-it nuk planifikojnë ndryshime të menjëhershme në pankinë – të paktën për momentin.
Në ndeshjen e mesditës të së shtunës, Juventus u mposht 2-0 nga Como, duke i dhënë fund një serie prej pesë barazimesh radhazi mes Serie A dhe Ligës së Kampionëve. Pas shtatë javëve kampionale, bardhezinjtë mbeten me 12 pikë dhe kanë rënë jashtë zonës së kualifikimit për Champions League, ndërsa rivalët e drejtpërdrejtë si Inter, Roma dhe Napoli kanë nisur shkëputjen në renditje.
Asnjë alarm për Tudor – ende
Sipas raportimeve nga Calciomercato.com, drejtuesit e klubit nuk kanë ndërmarrë masa drastike pas kësaj humbjeje dhe nuk ka plane për një shkarkim të afërt të Igor Tudor. Kroati do të vazhdojë të drejtojë skuadrën, edhe pse klubi është i vetëdijshëm për formën shqetësuese dhe kërkon reagim të menjëhershëm në fushë.
Sfida vendimtare në horizont
Juventus përballet me një javë kritike: të mërkurën udhëton në Madrid për t’u përballur me Realin në Ligën e Kampionëve, ndërsa të dielën pret Lazion në Torino. Drejtuesit presin një kthesë të menjëhershme në rezultate – përndryshe, situata mund të ndryshojë shpejt.