
Kampioni i Rumanisë, FCSB, nuk do ta ketë përkrahjen e tifozëve në ndeshjen e kthimit me kampionët e Kosovës, Dritën, e cila zhvillohet të enjten nga ora 20:00 në “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës.
Javën e kaluar, FCSB-ja fitoi 3:2 përballjen dramatike në Bukuresht, para 13.825 shikuesve. Drita kaloi në epërsi 1:0 në minutën e shtatë dhe e shtoi 2:0 në minutën e 50-të, por vendasit u kundërpërgjigjën me dy gola në minutat 64 dhe 72, ndërsa goli i fitores u shënua në minutën e 94-t.
Presidenti i bordit të drejtorëve të kampionatit rumun, Mihai Stoica, ka njoftuar se nuk është bërë kërkesë për bileta për tifozët rumunë, duke theksuar se kjo është bërë për të shmangur çdo problem.
“Tifozët nuk do të udhëtojnë për në Kosovë. Nuk kemi kërkuar bileta për tifozë. Jemi paralajmëruar se është më mirë në këtë mënyrë. Njerëzit janë sjellë në rregull me ne. Ne jemi sjellë në të njëjtën mënyrë. Tifozët tanë kanë dhënë leksion të maturisë që na ka shtyrë para të gjithëve”.
“Ishim të bindur se do të kishte një skandal tjetër. Por tifozët arritën të mos na shkaktojnë probleme e po ashtu nuk i shkaktuan as vetes. Do të luajmë ndeshjet e plejofit, pavarësisht garës, në stadiumin e mbushur me shikues. Në të kundërtën stadiumi mund të mbyllej, mund të paguanim gjoba prej qindra mijëra eurosh. Ishte gjë e madhe të mos dëgjojmë asnjë fyerje të vetme”, ka thënë Stoica për “Prima Sport”.
Përballjet e kaluara mes Rumanisë dhe Kosovës kanë sjellë tensione, por këtë herë nuk është raportuar për asnjë incident apo fyerje.
Te Drita pritet përkrahje e madhe nga tifozët, pasi janë afër fazës së grupeve.