Kthehet në aksion Liga e Kampionëve – ndeshje interesante, derbi në Londër

Liga e Kampionëve vazhdon këtë javë me ndeshjet e xhiros së tretë të fazës së ligës.

Të martën zhvillohen nëntë duelet e para, ndërsa vëmendja kryesore do të jetë në “Emirates Stadium” të Londrës, ku Arsenali pret Atletico Madridin nga ora 21:00.

Skuadra e Mikel Artetas ka nisur në mënyrë perfekte, duke fituar dy ndeshjet e para me rezultat identik 2:0 – fillimisht në udhëtim ndaj Athletic Bilbaos, e më pas në shtëpi kundër Olympiacosit.

Në anën tjetër, Atletico Madridi i Diego Simeones ka një fitore dhe një humbje: u mund 3:2 nga Liverpooli në xhiron e parë, por reagoi fuqishëm duke shkatërruar Eintracht Frankfurtin me rezultat 5:1. Forma e Arsenalit është e shkëlqyer edhe në Premier League, ku pas tetë xhirove kryeson tabelën me 19 pikë.

Në programin e ditës së martë janë edhe disa ndeshje të tjera interesante: Barcelona pret Olympiacosin nga ora 18:45 dhe kërkon fitoren e tretë radhazi, ndërsa në të njëjtin termin luhet edhe dueli mes Kairat Almaty dhe Pafos FC nga Qipro.

Fituesi në fuqi, Paris Saint Germain, udhëton në Gjermani për t’u përballur me Bayer Leverkusenin, në një ndeshje që pritet të jetë mjaft e luftuar.

Dy skuadrat italiane, Napoli dhe Inter, do të kërkojnë fitore jashtë fushe – kampioni i Italisë përballet me PSV Eindhoven, ndërsa zikaltërit luajnë në Belgjikë ndaj Royale Union SG.

Manchester City udhëton në Spanjë për t’u përballur me Villarrealin, një ndeshje që pritet të ofrojë spektakël, ndërsa mbrëmja do të kompletohet me duelet CopenhagenBorussia Dortmund dhe Newcastle United – Benfica.