
Botës së basketbollit i është dashur të fërkojë sytë nga habia pasi Miikka Muurinen, një nga talentet më premtues të Evropës, zgjodhi të bashkohet me Partizan Beogradin në vend që të ndjekë rrugën klasike drejt NCAA apo ndonjë lige tjetër të sigurt. Me një kontratë trevjeçare në EuroLeague, 18-vjeçari finlandez befasoi të gjithë!
Shkruan, Donatas Urbonas – BasketNews, përcjellë Kërlaçki.
“Kjo është çmenduri.”
“Duhet të jetë lajm i rremë.”
“A është kjo e vërtetë?”
Këto ishin reagimet e zakonshme nga njerëzit e basketbollit në orët e para pas publikimit të lajmit. Askush nuk e kishte parashikuar që Muurinen do të linte Shtetet e Bashkuara për të nisur një aventurë në Serbi.
Pse Partizani?
Muurinen, i njohur me nofkën “Slim Jesus”, tha se vendimi për t’u bashkuar me Partizanin erdhi pas analizës së disa opsioneve të mundshme. Ai theksoi nivelin më të lartë të konkurrencës në Evropë, cilësinë e stërvitjes dhe pasionin e tifozëve si arsyet kryesore për këtë zgjedhje.
“Pas EuroBasketit, duhej të vendosja nëse do të qëndroja me ekipin tim të mëparshëm në Arizona Compass, apo do të provoja diçka të re. E shqyrtuam çdo mundësi dhe kjo na u duk më e mira në atë moment”, – tha Muurinen për median finlandeze Yle.
“Që i vogël kam ëndërruar të luaj para tifozëve në Serbi, Greqi dhe Turqi”, shtoi ai.
Karriera në NCAA ende në lojë
Pavarësisht lëvizjes drejt Evropës, Muurinen nuk e ka përjashtuar mundësinë për të luajtur në NCAA përpara se të hyjë në Draftin e NBA-së në vitin 2027. Ai ka qenë në radarët e pothuajse çdo universiteti të madh amerikan, falë atletizmit të tij të jashtëzakonshëm.
“Strategjia ime nuk ka ndryshuar. Pas këtij sezoni, synimi është të shkoj në kolegj dhe më pas në draft”, – tha ai.
“Ky është thjesht një ndalesë në Serbi për momentin. Nëse gjithçka shkon mirë dhe më pëlqen këtu, ndoshta e kaloj kolegjin – por nuk besoj se do të ndodhë, sepse ende dua ta përjetoj eksperiencën e kolegjit.”
Zgjedhja e trajnerit – një faktor kyç
Muurinen është i vetëdijshëm se do të punojë me një nga trajnerët më të respektuar të Evropës – legjenda e basketbollit Zheljko Obradoviç, i cili ka fituar 66 trofe gjatë karrierës së tij, përfshirë 9 tituj të EuroLeague.
“Ai është një trajner shumë me përvojë. Nuk mund të pres të bashkohem me ekipin. Jam gati për sfidën. Dua të zhvillohem dhe kjo kërkon një trajner të ashpër dhe kërkues”, – deklaroi lojtari.
Një kapitull i ri nis në Beograd
Të shtunën, Miikka Muurinen do të fluturojë për në Beograd për të nisur zyrtarisht këtë kapitull të ri emocionues në karrierën e tij, duke e bërë Partizanin shtëpinë e parë profesionale të një prej talenteve më të ndjekur në basketbollin evropian.
E pabesueshme, i riu Miikka Muurinen firmos me Partizanin Beogradit!