
Kampionati i Ligës së Parë në futbollin kosovar nis nesër, me 18 skuadra që do të garojnë në një sezon të zjarrtë për tre pozitat e para – ende të pakonfirmuara zyrtarisht sipas propozicioneve të garave – ndërsa katër ekipe do të bien nga liga.
Në mesin e favoritëve kryesorë për t’u ngjitur në Superligë është Liria e Prizrenit, e cila së bashku me Feronikelin dhe Vushtrrinë përmendet si pjesë e “treshes” më të fortë.
Nuk duhet lënë jashtë llogarive as emra të njohur si Vëllaznimi, dy skuadrat e Trepçës, si dhe klube me histori si Besa e Pejës, KEK-u, Ramiz Sadiku, 2 Korriku, apo Suhareka që sapo ka rënë nga elita.
Gjithashtu pjesë e garës janë edhe Kika, që dy herë ka qenë nënkampione e Kosovës, Istogu që dikur ishte në Superligë, Vjosa si një skuadër standarde e Ligës së Parë, Rilindja ‘1974 me trajnerin karizmatik Faruk Statovci, si dhe Dinamo, që konsiderohet “arrë e fortë”, së bashku me të inkuadruarat e reja në këtë rang si Tefik Çanga dhe Prizreni.
Përkundër pasurisë së emrave dhe traditës së klubeve, kritikat nuk mungojnë. Vendimi që të gjitha ndeshjet të zhvillohen në të njëjtën ditë dhe orar, të shtunën, është vlerësuar si regres.
“Praktikë e tillë nuk është parë që nga vitet ’80 në asnjë ligë ndërkombëtare,” komentohet në qarqet sportive.