Malisheva mbetet pa trajner – Osmani, Livoreka dhe Kukaj largohen nga skuadra

Skuadra e Malishevës gjendet përballë një krize të re, pasi që të gjithë anëtarët e stafit teknik kanë lënë detyrën.

Pas largimit të trajnerit Qatip Osmani, që u bë i ditur dje, sot është konfirmuar se as ndihmësit e tij, Bashkim Livoreka dhe Liridon Kukaj, nuk do të jenë më pjesë e klubit.

Lëvizjet në pankinë vijnë në një moment delikat për Malishevën, që prej humbjes së rëndë 5-0 kundër Ballkanit, ku duket se tensionet nuk kanë pushuar. Ngjarjet e fundit vetëm sa e thellojnë pasigurinë në klub, duke lënë ekipin pa drejtim teknik vetëm dy ditë para ndeshjes së javës së 12-të në Superligë, kundër Dukagjinit në Klinë.

Tash për tash nuk dihet se kush do ta udhëheqë skuadrën në sfidën e radhës, ndërsa pritet që klubi të marrë një vendim urgjent në orët në vijim.