
Merkatoja verore ka sjellë lëvizje të shumta për futbollistët e Kombëtares shqiptare, të cilët janë shpërndarë në disa nga kampionatet më të rëndësishme evropiane dhe më gjerë.
Sulmuesi Armando Broja është transferuar te Burnley në Angli, ndërsa Kristjan Asllani dhe Ardian Ismajli kanë zgjedhur Torinon në Serie A. Një tjetër mbrojtës, Marash Kumbulla, ka marrë rrugën drejt Spanjës duke iu bashkuar Mallorcës.
Në Turqi ka përfunduar Qazim Laçi, i cili është prezantuar si futbollist i Rizesporit. Lëvizje interesante ka bërë edhe mbrojtësi Enea Mihaj, që është transferuar te Atlanta United në Shtetet e Bashkuara.
Në Belgjikë ka kaluar Arbnor Muja, i cili do të luajë për Sint-Truiden, ndërsa Rey Manaj ka zgjedhur kampionatin e Emirateve të Bashkuara Arabe, duke firmosur me Sharjah FC. Një tjetër mesfushor, Lindon Selahi, është transferuar në Poloni te Widzew Łódź, ndërsa Jasir Asani i është bashkuar klubit iranian Esteghlal.
Në Itali janë regjistruar disa afrime të tjera të kuqezinjve: Marvin Çuni është prezantuar te Sampdoria, Alen Sherri te Frosinone, ndërsa Adrion Pajaziti është transferuar te Hajduk Split në Kroaci.
Këto lëvizje pritet t’u japin futbollistëve shqiptarë më shumë hapësirë dhe përvojë ndërkombëtare, teksa objektivi i tyre kryesor mbetet të jenë në formë për sfidat e ardhshme me Kombëtaren.
Telesport