
Ndërsa Granit Xhaka shkëlqen në Premier League, vëllai i tij Taulanti po nis një rrugëtim të ri në futbollin amator të Zvicrës. Që nga vera, ish-ylli i FC Basel është trajner i FC Dardania Basel – një skuadër shqiptare në ligën e katërt. “20 Minuten” e ndoqi nga afër në një ndeshje të radhës.
Reportazh nga Nils Hänggi, përcjellë Kërlaçki

Me shi e erë, por me buzëqeshje në fytyrë
Në një pasdite të zymtë të shtunës, me shi të dendur dhe erë të fortë, në kompleksin sportiv “Bachgraben” në Basel zhvillohet përballja mes FC Dardania dhe FC Bachletten 2020. Terreni nuk është në gjendjen më të mirë – fushë me gropa dhe gjethe të rëna – por kjo nuk ia zbeh aspak entuziazmin Taulant Xhakës.
34-vjeçari, i mbuluar me një xhaketë kundër shiut, qëndron në vijën anësore me një qetësi mbresëlënëse. Ai nuk bërtet, nuk nxiton – por udhëzon skuadrën e tij me qetësi e autoritet. Në të njëjtën kohë, vëllai i tij Graniti është në fushë me Sunderland ndaj Manchester United. Por Taulanti duket më se i kënaqur me vendimin e tij.
“Më pëlqen shumë kjo punë. Jam shumë i kënaqur,” – thotë ai për “20 Minuten”.
Si e mori Dardania Taulantin?
Presidenti i FC Dardania, Tahir Çitaku, rrëfen se si e solli Xhakën në klub. Në fund të sezonit të kaluar, ai shkarkoi trajnerin pas dështimit për të siguruar ngjitjen. Pastaj mori telefonin dhe kontaktoi një mik të vjetër: Ragip Xhaka, babain e Granitit dhe Taulantit, i cili ndodhej në Kosovë. Menjëherë pas tij, erdhi edhe Taulanti me bashkëshorten dhe fëmijët.
“Fola vetëm pesë minuta me Taulantin. Ai më tha në shqip: ‘Besa’. Ishte një fjalë nderi. Disa javë më vonë më telefonoi dhe më tha që e kishte vendosur,” – tregon Çitaku.
Që nga atëherë, gjithçka ndryshoi.
Objektivi: ngjitje e shumëfishtë
Dardania tashmë ka bilanc perfekt: tetë ndeshje, tetë fitore, 42 gola të shënuar dhe vetëm tetë të pësuar. Në përballjen e ndjekur nga “20 Minuten”, Dardania fitoi 5:1 ndaj Bachletten – një paraqitje dominuese në pjesën e dytë, përballë një rivali që luftoi me zemër.
Çitaku nuk e fsheh ambicien:
“Me Taulantin duam të ngjitemi. Synimi është Liga Interregionale (2. Liga Interregional), dhe pse jo më tej, në 1. Liga Classic.”
Në stadium ishin të pranishëm edhe disa figura të njohura të futbollit, si Renato Steffen, ish-lojtar i kombëtares, aktualisht i dëmtuar te Lugano.
Një trajner i qetë dhe i matur
Taulant Xhaka, i njohur si një lojtar me temperament të fortë gjatë karrierës, ka ndryshuar shumë në rolin e trajnerit. Edhe pse e pranon se në dhomat e zhveshjes mund të bëhet i zëshëm, ai thekson:
“Në fushë nuk duhet të bërtasësh. Janë ende amatorë, nuk dua t’i frikësoj.”
Ai e shijon jetën si “futbollist në pension”:
“Po kaloj kohë me familjen dhe miqtë. Pas ndeshjeve ndoshta pi një a dy birra – gjë që si profesionist nuk mund ta bëja. Tani thjesht po e shijoj.”
E ka vizituar vëllain në Sunderland?
“Jo akoma, por së shpejti do të shkoj”, – thotë ai me një buzëqeshje, teksa në fund të ditës del edhe dielli. Kohë perfekte për të festuar.