
Sonte zhvillohen ndeshjet e dyta kthyese në Evropë, ku në fushë dalin edhe pesë skuadra të tjera shqiptare, pas tre skuadrave që luajtën të martën, nga të cilat dy kaluan tutje (Drita dhe Shkëndija). Radhën e kanë tani Prishtina në Europa League dhe katër ekipe tjera në Conference League.

Ndërsa skuadra më e njohur vendore, Prishtina, ka pak shanse për të kaluar raundin pas humbjes së thellë 0-4 në ndeshjen e parë, çuditërisht Vllaznia e Shkodrës konsiderohet favorit absolut në bastet sportive (me koeficient 1.70 për kalim tutje) në udhëtimin e tyre në Letoni. Humbja minimale 0-1 në ndeshjen e parë u cilësua e pafat, pasi shkodranët ishin skuadër më e mirë dhe kundërshtari shënoi pas një tentative të vetme.
“Kundërshtarin tani e njohim më mirë, kemi marrë masat dhe kemi ardhur me vetëm një qëllim — të kalojmë turnin. Skuadra ka forcën, dhe lojtarët janë gati të bëjnë punën,” deklaroi kapiteni i Vllaznisë, Bekim Balaj.
Edhe Partizani i Tiranës ka shanse reale, me bastet që e favorizojnë (1.50 kundër Kalju të Estonisë), edhe pse ndeshja e parë u mbyll në barazim 1-1.
“Mendoj se kundërshtari nuk është i lehtë. Në kompeticionet evropiane nuk ka ndeshje të lehta. E kemi analizuar mirë kundërshtarin dhe kemi punuar shumë gjatë kësaj jave. Jemi gati të zbresim në fushë dhe të japim 100%,” u shpreh mbrojtësi i Partizanit, Marçelino Prekaj.
Ndërkaq, Deçiqi i Tuzit, megjithëse fitoi 2-0 ndeshjen e parë ndaj Sileksit të Maqedonisë së Veriut, nuk është favorit në bastet sportive, me koeficient 2.0 për fitore në favor të maqedonasve.
Sa i përket Prishtinës (me koeficient 2.8 kundrejt 2.2) dhe veçanërisht Malishevës, e cila ka një mundësi të vogël në baste (9.0), mbetet vetëm të shpresojmë për një mrekulli në natën shqiptare.

Orari i ndeshjeve:
Europa League
Prishtina – Sheriff Tiraspol (0-4)
Stadiumi: “Fadil Vokrri”, Prishtinë
Ora: 20:00
Conference League
Vikingur – Malisheva (1-0)
Stadiumi: Víkingsvöllur, Reykjavik, Islandë
Ora: 20:45
Daugavpils – Vllaznia (1-0)
Stadiumi: LNK Sporta Parks, Riga, Letoni
Ora: 18:00
Partizani – Nõmme Kalju (1-1)
Stadiumi: “Air Albania”, Tiranë, Shqipëri
Ora: 20:00
Sileks – Deçiqi (0-2)
Stadiumi: Qendra stërvitore “Petar Milosevski” (Shkup)
Ora: 19:00