Selektori i Kombëtares së Kosovës në hendboll, Jesper Ostlund, ka komentuar shortin për fazën e dytë të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “IHF 2027”, ku “Dardanët” do të përballen me Bosnjë-Hercegovinën.
Përballja ballkanike pritet të zhvillohet në muajin mars të vitit të ardhshëm, dhe Ostlund e vlerëson kundërshtarin si një ekip me traditë në hendboll, por thekson se Kosova ka potencial për të befasuar.
“Sfida të shkëlqyera në raundin e dytë, një derbi i vërtetë ballkanik. Do t’iu qasemi ndeshjeve me shumë energji dhe besim. Bosnjë-Hercegovina është vend me kulturë të zhvilluar hendbolli dhe padyshim do të jetë kundërshtar i vështirë”, u shpreh Ostlund për faqen zyrtare të Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK).
“Synimi ynë është të arrijmë në raundin e tretë, dhe besoj se kemi shanse të mira për ta realizuar këtë objektiv – nëse luajmë në nivelin tonë më të lartë”, shtoi ai.
Kosova kaloi me sukses fazën e parë të kualifikimeve, duke eliminuar Britaninë e Madhe. Kualifikimet për Kampionatin Botëror 2027 zhvillohen në tri faza eliminatore, dhe aktualisht Kombëtarja jonë ndodhet në mesin e skuadrave që garojnë për një vend në raundin e tretë.
