
Tifozët e zjarrtë të Prishtinës, të njohur si “Plisat”, duket se kanë rikthyer energjinë dhe besimin te skuadra e tyre, e cila po i përgjigjet me angazhim në fushë.
Në një ndeshje plot tension dhe emocione në Malishevë, kryeqytetasit ia dolën të marrin tri pikë të vlefshme, pavarësisht barazimit të vendasve dhe vështirësive gjatë ndeshjes.
Në stinorin e sapo filluar vjeshtor, “Plisat” po ndjekin skuadrën e tyre jo vetëm në ndeshjet si vendas, por edhe si mysafirë, duke dhënë mbështetje të pakursyer kudo ku luan Prishtina. Jo vetëm prezenca e tyre, por edhe e çdo grupi tjetër tifozësh ndikon dukshëm në rritjen e interesimit dhe nivelit të futbollit vendor.
Megjithatë, për ta ruajtur dhe ngritur më tej këtë atmosferë sportive, është i domosdoshëm edhe një hap i thjeshtë por i rëndësishëm nga Federata e Futbollit të Kosovës: ndarja e ndeshjeve në ditë të ndryshme. Ky është një standard i ndjekur në shumicën e vendeve dhe do të ndihmonte në rritjen e shikueshmërisë, mbulimit mediatik dhe përfshirjes së tifozëve. Vendosja e të gjitha ndeshjeve në një ditë, siç po ndodh aktualisht, është një praktikë e pakuptimtë që e dëmton futbollin dhe përvojën e tifozëve.