“Rokada eksperimentale” e kampionit Egnatia: Largon 10 lojtarë, transferon 7!

Egnatia
Egnatia

Egnatia po përgatitet për sezonin e ri me një skuadër tërësisht të rinovuar, ndërsa merkatoja verore ka sjellë deri më tani shtatë afrime të shpërndara në të gjitha repartet. 

Në repartin ofensiv janë afruar dy uingerë: Kastriot Selmani në krahun e djathtë dhe Ildi Gruda në të majtë, të cilët pritet t’i japin më shumë shpejtësi dhe krijimtari sulmit. Mbrojtja është përforcuar me spanjollin Guillem Jaime në të djathtë, Jeffersonin në të majtë dhe qendërmbrojtësin Anio Poçi, duke shtuar qëndrueshmëri në prapavijë. Në mesfushë është shtuar Flamur Ruçi, një element me profil ofensiv, ndërsa në vijën e parë ka mbërritur qendërsulmuesi Nikola Buriç, që shihet si pika kyçe në zonën kundërshtare.

Megjithatë, përballë këtyre përforcimeve qëndrojnë edhe shumë largime.

Plot dhjetë lojtarë janë larguar nga kampionët, çka dëshmon për një proces të thellë rinovimi.

Ndër ta, më i fundit është Guindoja, një nga elementët më të rëndësishëm të skuadrës, i cili lë një boshllëk të ndjeshëm sidomos në fazën mbrojtëse dhe në balancën e lojës.

Për Egnatian, objektivi është i dyfishtë: mbrojtja e titullit kampion dhe rritja e pretendimeve në arenën ndërkombëtare, në një sezon ku presioni për sukses është më i lartë se kurrë.