Pas humbjes së djeshme në Vushtrri (4:1), udhëheqja e Trepçës ka marrë vendim për të shkarkuar kryetrajnerin Emin Baliqi dhe ndihmësin e tij të parë, Shpëtim Fetahu.
Ky vendim vjen në një moment kritik për skuadrën, e cila po përballet me presion të madh, si brenda klubit ashtu edhe nga tifozët, veçanërisht grupi “Torcida”, që shpesh ka qenë i zëshëm në kritikat ndaj menaxhimit aktual. Sipas trajnerit Baliqi, ai është i shkarkuar.
Situatë e ngjashme kishte ndodhur edhe vitin e kaluar, kur pas ardhjes së trajnerit Edi Martini u prezantua si ndarje konsensuale, por klubi sërish nuk arriti objektivat.
Për Trepçën tani vjen një përballje e madhe me Feronikelin, ku gjasat për kthesë në sezon ende janë të hapura – por drejtimi që do të marrë skuadra në vijim mbetet për t’u parë.
Deklarata zyrtare e KF Trepça:
“Klubi Futbollistik TREPÇA dëshiron të shprehë mirënjohjen më të sinqertë për trajnerin Emin Baliqi dhe ndihmësin e tij Shpëtim Fetahu, për pesë vitet e punës së përbashkët, përkushtimit dhe kontributit të jashtëzakonshëm që kanë dhënë në zhvillimin e klubit tonë.
Gjatë këtyre viteve, trajneri Baliqi dhe ndihmësi Fetahu kanë qenë pjesë e pandashme e familjes së Trepçës.
Me profesionalizëm, disiplinë dhe pasion, ata kanë ndërtuar një skuadër konkurruese, kanë zhvilluar shumë futbollistë të rinj dhe kanë kontribuar në ngritjen e standardit të punës brenda klubit.
Rezultatet, karakteri dhe fryma e bashkëpunimit që e kanë lënë pas do të mbeten pjesë e historisë sonë moderne.
Kontributi i tyre nuk matet vetëm me pikë e fitore, por me ndikimin që kanë pasur në mentalitetin e ekipit.
Rrugët tona po ndahen përkohësisht, por respekti dhe vlerësimi për punën e tyre mbeten të palëkundura.
Derën e Trepçës do ta kenë gjithmonë të hapur, sepse ky nuk është një fund, por një ndalesë e përkohshme në rrugën e gjatë të futbollit.
Nuk është lamtumirë – por ‘mirëupafshim’.”