
Pas emërimit si drejtor sportiv javën e kaluar, ish-futbollisti i njohur Shpëtim Babaj ka filluar menjëherë punën për ndërtimin e skuadrës së Prishtinës së Re në përgatitje për sezonin debutues në Superligën e Kosovës.
Klubi ka konfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit me trajnerin Elon Berisha, i cili ishte ndër figurat kyçe në ngjitjen historike të ekipit në elitën e futbollit kosovar.
Në fazën e parë të rindërtimit, klubi ka njoftuar për largimin e 12 futbollistëve, përfshirë disa që kishin rol të rëndësishëm në suksesin e sezonit të kaluar.

Megjithatë, Prishtina e Re ka arritur të mbajë në skuadër një bërthamë të rëndësishme të lojtarëve, përfshirë: Abdoul Razack Bachare Zoungrana, Fatlind Azizi, Lis Behrami, Lorik Dobratiqi, Guri Hana, Zigur Biqkaj, Endrit Baholli, Astrit Berisha, Adonis Zeqiri, Ermal Vitija dhe kapitenin Samir Sadriu.
Sa i përket afrimeve të reja, Babaj ka lëvizur shpejt duke nënshkruar me Drilon Fazliun (nga Vushtrria), Ergyn Ahmetin (nga Llapi), si dhe me talentin Aron Babaj (nga Trepça).
Gjithashtu, është arritur marrëveshje me portierin Florian Smakiqi, i cili pritet të zyrtarizohet së shpejti.
Prishtina e Re pritet të vazhdojë me përforcime të tjera në ditët në vijim, duke synuar të ndërtojë një ekip konkurrues për sezonin e parë në Superligë.