
Sonte (20:45), në ndeshjen e parafundit të UEFA Conference League, Malisheva do të përpiqet të realizojë të pamundurën dhe të rikthejë rezultatin pas humbjes 0-1 në takimin e parë.
Në stadiumin “Víkingsvöllur” të Reykjavikut, me kapacitet prej 1,500 vendesh, skuadra jonë tenton të mos mbyllë herët aventurën në skenën evropiane. Eliminimi do të ishte zhgënjyes, duke pasur parasysh se kjo do të ishte pjesëmarrja e dytë radhazi, dhe në të dy rastet skuadra nuk ka arritur të kalojë raundin. Vitin e kaluar, nën drejtimin e trajnerit Qendrim Kida, me një fitore 1-0 dhe një humbje 0-3, skuadra u eliminua nga malazezët e Buduçnostit.
Skuadra, e udhëhequr nga trajneri Bekim Isufi, ka zhvilluar seancën stërvitore para ndeshjes. Nga fotografitë e publikuara nga klubi duket se ekipi ka disponimin e duhur për t’u paraqitur në fushë dhe për të provuar fatin.
Drejtësinë në ndeshje do të ndajnë gjyqtarët nga Lituania Robertas Valikonis, Vytenis Kazlauskas, Benas Kikutis, Kestutis Bartuškevicius, ndërsa nuk do të ketë transmetim televiziv nga asnjë medium kosovar.
