
Kombëtarja e Kosovës do të zbresë sot në fushë për ndeshjen e parë kualifikuese të Kupës së Botës 2026, ku përballë saj do të jetë Zvicra, një kundërshtar me të cilin tashmë është krijuar një histori e veçantë përballjesh.
‘Dardanët’, të drejtuar nga Franco Foda, kanë udhëtuar drejt Bazelit pa disa nga yjet kryesorë – si Edon Zhegrova dhe Milot Rashica – por me ambicien e qartë për të vazhduar serinë pozitive ndaj helvetikëve.
Deri më tani, Kosova dhe Zvicra janë përballur tre herë dhe asnjëherë helvetikët nuk kanë arritur të fitojnë. Statistika që i jep Kosovës epitetin e një “arre të fortë” për rivalin e sotëm.
Takimi i parë u luajt në mars të vitit 2022, një miqësore në Cyrih që u mbyll në barazim 1-1. Dy ndeshjet e tjera erdhën në kualifikimet për Euro 2024. Në Prishtinë, më 9 shtator, spektakli përfundoi 2-2 falë dopietës së Vedat Muriqit. Ndeshja e kthimit në Bazel mbaroi po ashtu në paqe, 1-1, me golin e vetëm të Kosovës të shënuar nga Muhamet Hyseni.
Të tre rezultatet e barabarta kanë krijuar bindjen se Kosova është një kundërshtar i vështirë për Zvicrën, pavarësisht diferencave në eksperiencë dhe cilësi. Përballja e sotme në “St. Jakob-Park” shihet si një test i madh për Kosovën, e cila kërkon të niset me pikë në një grup ku çdo rezultat mund të peshojë rëndë në garën për Botërorin.