Superliga Hendboll

Pas përfundimit të xhiros së shtatë në mesjavë, Superliga e Kosovës në hendboll rikthehet menjëherë me përballjet e xhiros së tetë, që zhvillohen të dielën dhe të hënën, si në konkurrencën e meshkujve, ashtu edhe në atë të femrave.

Llapi – Vëllaznimi, sfida kryesore e xhiros së tetë

Takimi më interesant në kategorinë e meshkujve pritet të jetë ai ndërmjet Llapit dhe Vëllaznimit, që zhvillohet të dielën nga ora 18:00 në Podujevë. Kuqezinjtë nga Gjakova, të kthyer fuqishëm në elitë, synojnë ta vazhdojnë serinë pozitive, ndërsa Llapi, që aktualisht renditet i parafundit me vetëm dy pikë, do të përpiqet t’i ndalë.

Po ashtu, të dielën në orën 18:00 në Deçan, Besa Famgas pret Trepçën, në një tjetër përballje interesante.

Xhiroja mbyllet të hënën me dy ndeshje: Prishtina – Kastrioti (ora 19:00) dhe Vushtrria – Rahoveci (ora 20:00), kjo e fundit që zhvillohet në Samadrexhë. Në të dyja përballjet, skuadrat mysafire vlerësohen si favorite.

Java e katërt në Ligën e Parë të meshkujve

Në kuadër të Ligës së Parë, të dielën do të zhvillohen dy ndeshje: Drenica – Prizreni (18:00) dhe Ulpiana – Istogu (12:00).

Superliga e femrave: Derbi dhe përballje me peshë në xhiron e shtatë

Të shtunën do të luhen të gjitha katër takimet e xhiros së shtatë në Superligën e femrave. Dy prej tyre pritet të ofrojnë rivalitet dhe cilësi të lartë.

Në palestrën “Bill Clinton” në ora 18:00, Ferizaj pret Shqiponjën, dy ekipe me ambicie të qarta për titullin kampion këtë sezon.

Ndërkohë, në ora 19:00 në Obiliq, Tereza përballet me Samadrexhën, që vjen si favorite, ndërsa vendaset synojnë befasinë.

Dy takimet tjera zhvillohen më herët: Istogu – Kastrioti në ora 14:00 në Ferizaj dhe Prishtina – Ulpiana në ora 16:00 në Lipjan.

Xhiroja e pestë në Ligën e Parë të femrave

Në Ligën e Parë të femrave do të luhen dy ndeshje këtë fundjavë: të shtunën Vushtrria përballet me Vjosën (ora 14:00), ndërsa të dielën takohen Prizreni dhe KEK-u (ora 15:00). Ndeshjet Vëllaznimi – CLICK dhe Trepça – Dukagjini do të zhvillohen në një datë tjetër.