KF Trepça ka zyrtarizuar emërimin e trajnerit Tahir Lushtaku, pas largimit të Bekim Baliqit nga posti i trajnerit të parë.
Lushtaku, i njohur për angazhimin e tij të gjatë me skuadrën e Drenicës si futbollist dhe trajner në disa periudha, për herë të parë në karrierën e tij do të marrë drejtimin e një klubi tjetër. Deri më tani, ai kishte qenë i lidhur ekskluzivisht me ekipin kuqezi të Skenderajt.
Që nga viti 2022, Lushtaku ka qenë i pranishëm në mediat sportive, ku ka shërbyer si analist, duke sjellë analizat e tij për zhvillimet në futbollin kosovar.
Emërimi i tij në krye të Trepçës vjen në një moment kyç për klubin mitrovicas, që synon të rikthehet në formën më të mirë pas ndarjes me Baliqin.
                        
                
                            
                            
                
                            
                            
                            
                            
                            
                            
                            
                            