
Pavarësisht dëmtimeve dhe mungesave të shumta, përfaqësuesja e Bosnjë-Hercegovinës në basketboll arriti të kualifikohej për fazën e 1/8-ës në EuroBasket 2025, duke lënë pas madje edhe Spanjën, një prej skuadrave favorite. Turneun e mbylli në vendin e 13-të.
Megjithatë, trajneri Adis Beçiragiq ka shpërthyer në kritika ndaj lojtarëve që refuzuan ftesën për të luajtur me ekipin kombëtar. Në një intervistë në podcastin “Hayat”, ai zbuloi se plot tetë lojtarë kanë refuzuar të bashkohen me skuadrën.
“Çfarë miu je ti, çfarë frikacaku, çfarë atdhetari je ti?” – tha Beçiragiç me tone të forta emocionale. “Zemërohesh me trajnerin dhe lë popullin tënd në baltë? Thua ‘nuk dua më të luaj’? Kështu funksionon? Unë i kam kaluar të gjitha këto. Atdhetari i vërtetë është ai që qëndron kur të gjithë tjerët ikin. Kur të tjerët largohen nga pushka, ti e merr atë. Kur shteti të thërret të luash, ti shkon, pa pyetur nëse hoteli ka pesë yje apo një krevat prej hekuri. Kur të ofrojnë para për të braktisur shtetin, ti thua: ‘Jo, unë zgjedh vendin tim’. Kur varros nënën tënde, njeriun më të dashur në jetën tënde, dhe pas 20 orësh del në parket në një kampionat evropian – pa treguar asnjë peshë në zemër – për ta udhëhequr përfaqësuesen tënde… Këta janë atdhetarët.”
Ai shtoi: “Të gjithë ata që shkruajnë, të gjithë ata që nuk kanë qenë kurrë as 2 për qind në pozitat që kam qenë unë – mund t’ju them me bindje se për mua ata janë thjesht llafe në erë. Jam plotësisht i qetë përballë tyre.”