
Skuadrat kosovare të basketbollit do të zhvillojnë të mërkurën ndeshjet e dyta në fazën e rregullt të FIBA Europe Cup, me synimin për të arritur fitoret e para në këtë garë prestigjioze.
Kampionia në fuqi, Trepça, do të presë në palestrën “Minatori” skuadrën gjermane Braunschweig, në kuadër të Grupit F, me fillim nga ora 18:30.
Skuadra gjermane e nisi garën me fitore dramatike 98:97 ndaj Anwil Włocławek, ndërsa Trepça u mposht në Greqi nga PAOK-u me rezultatin 85:74.
Megjithatë, “xehetarët” dhanë shenja të qarta përmirësimi dhe pas fitores ndaj Vëllaznimit në Superligën vendore, do të kërkojnë triumfin e parë në arenën evropiane. Në ndeshjen tjetër të grupit, do të përballen Anwil dhe PAOK-u.
Trepça u ka bërë thirrje tifozëve që ta mbushin “Minatorin” për ta përkrahur skuadrën në një duel të fortë kundër rivalit nga Bundesliga, një ligë e njohur për nivelin e lartë të garës.
Në të njëjtën mbrëmje, në arenën evropiane do të zbresë edhe nënkampioni Bashkimi, që udhëton drejt Italisë për t’u përballur me Reggiana në Reggio Emilia, me ndeshjen që nis në ora 20:00.
Skuadra prizrenase debutoi javën e kaluar në Evropë me humbje 93:79 ndaj Cibonës në Zagreb — ndeshje që fillimisht ishte planifikuar të luhej në Prizren, por u zhvendos për shkak të angazhimit të palestrës “Sezai Surroi” gjatë zgjedhjeve.
Reggiana, ndërkohë, e nisi Grupin J me fitore 96:88 ndaj Dijonit francez.
Çdo pikë është e vlefshme për përfaqësueset kosovare, që po kërkojnë të përforcojnë emrin e basketbollit vendor në arenën evropiane.
Ndërsa Bashkimi po përjeton për herë të parë emocionet e kupave të FIBA-s, Trepça po synon ta shfrytëzojë përvojën e saj ndërkombëtare për të ecur më tej në grup.
Ndërkohë, Sigal Prishtina dhe Peja po marrin pjesë në ENBL, një ligë rajonale me pjesëmarrje të gjerë, por që nuk bën pjesë në garat kontinentale të organizuara nga FIBA.