“Unë jam shqiptar nga Kosova, momenti historik për mua kur isha kapiten te Shqipëria” – Ardian Ismajli rrëfet para tifozëve të Torinos

Ardian ismjali

Qendërmbrojtësi i Torinos dhe i Kombëtares shqiptare, Ardian Ismajli, ka dhënë një intervistë të gjatë për faqen zyrtare të klubit italian, ku ka folur për prejardhjen, karrierën dhe përfaqësuesen kuqezi.

Me krenari ai ka theksuar se është shqiptar nga Kosova, ndërsa kujtoi momentin më të veçantë të karrierës së tij: mbajtjen e shiritit të kapitenit me Shqipërinë në Ligën e Kombeve.

“Ne themi gjithmonë se jemi të gjithë shqiptarë, por ka shqiptarë nga Shqipëria dhe shqiptarë nga Kosova. Unë jam shqiptar nga Kosova. Jemi tre fëmijë: unë, një vëlla tjetër dhe kemi edhe një motër. Babai punon në fushën e politikës. Vëllai ka luajtur futboll më parë, por tani nuk luan më, është bërë polic. Motra punon në fushën e informatikës”, ka thënë Ismajli.

ardian ismajli
ardian ismajli

Ai shtoi se gjithmonë është ndjerë si lider, pavarësisht nëse ka pasur apo jo shiritin e kapitenit.

“Në çdo klub ku kam luajtur, gjithmonë jam ndjerë dhe më kanë ndjerë si kapiten, edhe pa shirit në krah. Një vit më parë isha kapiten në tre-katër ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve me Shqipërinë. Ato ishin momente historike për mua dhe për familjen time. Duhet t’i falënderoj të gjithë për këtë besim, por edhe unë kam dhënë gjithçka në fushë. Këto gjëra nuk të jepen thjesht, duhen merituar. Unë jam nga ata që mundohem të ndihmoj, sidomos të rinjtë në dhomën e zhveshjes, sepse kam kaluar edhe vetë vështirësi kur isha fëmijë dhe e di sa e rëndësishme është një dorë ndihme”, ka deklaruar mbrojtësi prishtinas.

Synimi i tij ka qenë gjithmonë i qartë – Serie A. Që i vogël, ëndrra e tij ishte të luante në kampionatin italian, dhe sot është pjesë e tij prej disa vitesh.

ardian ismajli

“Siç thashë edhe më parë, Serie A ishte ëndrra ime. Në Kosovë gjithmonë shihnim vetëm Serie A. Na duhej të blinim abonim televiziv vetëm për të parë Serie A. Shikonim edhe Bundesliga ose liga të tjera, por unë i thosha babit: ‘Unë dua vetëm Serinë A’. Dhe gjithmonë besoja se një ditë do të luaja aty. Tani jam këtu, prej 5 vitesh luaj në Serie A dhe tani nis sezoni i 7-të. Shpresoj të luaj edhe për shumë vite të tjera”, është shprehur ai.

Në përfundim, Ismajli foli edhe për përshtatjen e tij te Torino dhe premtoi për tifozët se do të japë maksimumin.

“Sa i përket lojës, për mua nuk ka dallim, më pëlqen si në mbrojtje me katër, ashtu edhe me tre. Te Kombëtarja kemi luajtur me tre mbrojtës, ndërsa këtu me trajnerin Baroni luajmë me katër. Nuk është diçka e vështirë për mua. Unë jam një luftëtar, nuk dorëzohem kurrë. Edhe kur nuk jam 100%, gjithmonë futem në fushë për të dhënë gjithçka. Këtë gjë e kam treguar shumë herë te Empoli dhe shpresoj ta sjell edhe te Torino, për tifozët e Toros. Me mbështetjen tuaj dhe punën tonë në fushë, shpresojmë të bëjmë shumë gjëra të mira këtë vit”, ka përfunduar Ismajli.