
Valon Behrami, ish-mesfushori i njohur i Watfordit, është rikthyer në klub si ndihmës i Drejtorit Sportiv.
40-vjeçari, i cili ishte pjesë e skuadrës së “Vicarage Road”, gjatë sezoneve 2015/16 dhe 2016/17 në Premier League, do të ofrojë mbështetje për Drejtorin Sportiv Gian Luca Nani.
“Jam shumë i lumtur që po punoj sërish me Valonin,” tha Nani, përcjell Kërkaçki..
“Ai do të ofrojë ndihmë të paçmuar për stafin teknik dhe për lojtarët. E di që ai ka një lidhje të fortë me klubin që nga koha kur ishte futbollist këtu. Ai tashmë ka pasur një ndikim pozitiv”, ka thënë, Nani.
Valon Behrami ka luajtur për ekipe si Lazio, West Ham United, Napoli, Hamburg dhe Udinese gjatë një karriere që zgjati gati 20 vite.
Ai ka zhvilluar 83 ndeshje me kombëtaren e Zvicrës dhe ishte lojtari i parë zviceran që mori pjesë në katër Kupa Bote radhazi, nga viti 2006 deri më 2018.

“Kur isha lojtar i Watfordit, ishte hera e parë që ndjeva se isha pjesë e një familjeje, dhe kjo më ka munguar,” tha Behrami për faqen e Watford.
“Jam shumë i lumtur që jam rikthyer. Scott Duxbury më kishte nënshkruar kontratën kur ishte te West Ham, dhe më pas sërish si lojtar i Watfordit, kështu që nuk hezitova aspak kur më kërkoi për herë të tretë të bëhem pjesë e diçkaje kaq emocionuese. Dua të ndihmoj në ndërtimin e lidhjes mes stafit teknik dhe klubit, mes lojtarëve dhe klubit dhe, më e rëndësishmja, me tifozët, sepse vetëm kështu mund të arrijmë objektivin tonë. Për ta arritur këtë na duhet punë e palodhur, disiplinë dhe mbështetja e të gjithëve. Jam këtu për të mbështetur kryetrajnerin Paulo Pezzolano dhe lojtarët. E di mirë si është të jesh lojtar, çfarë kanë nevojë, si reagojnë, veçanërisht kur gjërat nuk shkojnë mirë, siç ndodh ndonjëherë në futboll. Paulo ka qenë i shkëlqyer që nga dita e parë dhe kuptohet menjëherë që ai ka dëshirë, disiplinë dhe standarde shumë të larta”, tha Behrami.
Watford FC garon në EFL Championship, niveli i dytë i futbollit profesionist në Angli. Për sezonin 2025–26, klubi ka emëruar trajnerin uruguaian Paulo Pezzolano. Pezzolano, 42 vjeç, ka pasur eksperiencë në La Liga me Real Valladolid dhe është i njohur për zhvillimin e talenteve të rinj dhe metodologjinë e tij të avancuar të stërvitjes.
Për sezonin 2025–26, Watford ka një buxhet total pagash prej 15.1 milion funtash. Lojtari më i paguar është Moussa Sissoko, me një pagë vjetore prej £2.34 milion, ose £45,000 në javë. Ai është një mesfushor me eksperiencë dhe ka luajtur për kombëtaren e Francës.
Një nga transferimet më të shtrenjta të Watford është Ismaïla Sarr, i cili u ble për £25 milion nga Rennes në vitin 2019. Ai ka qenë një lojtar kyç për klubin, duke shënuar 34 gola në 131 ndeshje.
Një nga arritjet më të mëdha të Watford FC ishte në sezonin 1982–83, kur ata përfunduan në vendin e dytë në Divizionin 1 (në atë kohë niveli më i lartë i futbollit në Angli), duke siguruar një vend në Kupën UEFA (tani Liga Europa).