
Veton Berisha është rikthyer zyrtarisht te skuadra e Vikingut në Norvegji. Pas një marrëveshjeje të përbashkët për shkëputje kontrate me Molden të premten e kaluar, sulmuesi 31-vjeçar ka vendosur të vazhdojë karrierën në një ambient të njohur për të.
Vikingu e zyrtarizoi transferimin e tij të martën, duke konfirmuar se Berisha ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare me klubin nga Stavangeri.
“Është absolutisht fantastike të kthehem. Gjithmonë më ka pëlqyer të luaj për Vikingun dhe këtu kam luajtur futbollin tim më të mirë. E dua këtë qytet, këtë klub dhe të gjithë mbështetësit tanë,” tha Berisha për faqen zyrtare të klubit.

Ky është rikthimi i tretë i Veton Berishës te Vikingu. Ai kishte luajtur më parë për këtë skuadër në periudhat 2011–2015 dhe 2020–2022. Largimi i tij i fundit gjatë sezonit 2021/22 pati lënë gjurmë te tifozët, duke shkaktuar reagime të ashpra për mënyrën si ndodhi transferimi.
Këtë herë, sulmuesi me përvojë ka zgjedhur të reflektojë dhe të kërkojë falje për të kaluarën:“Kam mësuar nga gabimet e mia dhe thjesht duhet të marr përgjegjësi për mënyrën se si u solla kur u largova nga klubi herën e fundit. Deklaratat e mia dhe mënyra se si u bënë nuk ishin të mira. Nuk pres që të gjithë të më falin dhe e kuptoj plotësisht këtë. Por premtoj se do të bëj gjithçka që mundem për këtë klub”.