Xhengiz Rexhepi pas fitores ndaj 2 Korrikut: Vëllaznimi tregoi pjekuri dhe karakter – synojmë rikthimin në Superligë

Xhengiz Rexhepi Vellaznimi
Xhengiz Rexhepi Vellaznimi

Pas fitores 2:0 në udhëtim ndaj 2 Korrikut në Prishtinë, kryetrajneri i Vëllaznimit, Xhengiz Rexhepi, ka vlerësuar angazhimin dhe reagimin e skuadrës në pjesën e dytë, duke theksuar për Kërlaçki rëndësinë e tre pikëve dhe objektivin madhor të rikthimit në elitën e futbollit kosovar.

“Pjesa e parë ishte e vështirë. 2 Korriku vrapoi shumë dhe na bëri presion. Nuk reaguam siç duhet, luajtëm ngadalë dhe humbëm duele të panevojshme. Kundërshtari ishte më i mirë dhe krijoi më shumë raste,” tha Rexhepi, duke analizuar 45 minutat e para të takimit.

Por gjithçka ndryshoi në pjesën e dytë:
“Përmirësuam ndjeshëm lojën, dolëm shpejt në sulm, krijuam raste dhe treguam pjekuri. Me përvojën e futbollistëve tanë, e dominuam fushën dhe fituam me meritë”, u shpreh ai.

vëllaznimi
vëllaznimi

Rexhepi rikujtoi edhe ndeshjen debutuese kundër Feronikelit, ku Vëllaznimi arriti përmbysje të madhe nga 1:2 në 4:2, si dëshmi e karakterit dhe disiplinës së ekipit:
“Kemi treguar se jemi të gatshëm të përballemi me çdo kundërshtar. Megjithatë, Liga e Parë është shumë e vështirë dhe konkurruese.”

Trajneri i kuqezinjve foli edhe për peshën që mban fanella e klubit legjendar, sidomos në vitin jubilar:
“Emblema e Vëllaznimit është e rëndë. Klubi ka histori të madhe dhe në 100-vjetorin e themelimit synimi është i qartë: rikthimi në Superligë. Me mbështetjen e kryetarit Boshnjaku dhe tifozëve të zjarrtë, që na ndoqën në numër të madh edhe në Prishtinë, besoj se jemi kandidat serioz për ngjitje”, përfundoi ai.

“Kryesorja janë tre pikët,” theksoi në fund trajneri Rexhepi, duke përmbledhur qasjen e tij pragmatike ndaj rrugës drejt objektivit kryesor të sezonit.

xhengiz rexhepi
xhengiz rexhepi