Zekirija Ramadani thotë se Drita ka kryer vetëm 50 për qind të punës ndaj Differdange 03

Zekirija Ramadani

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka vlerësuar fitoren 2:1 ndaj Differdanget si një hap të rëndësishëm, por jo vendimtar në rrugën drejt fazës së grupeve të Ligës së Konferencës.

Ndeshja e parë u zhvillua të enjten në “Fadil Vokrri”, ndërsa kthimi do të luhet javën e ardhshme në Luksemburg.

“Është vetëm pjesa e parë. E kemi mbaruar 50 për qind të punës e na pret edhe një tjetër. E thash që duhet të jemi të kënaqur me një gol avantazh. Ndodhi ajo që ishte si objektiv primar i joni për të shkuar me një gol avantazh”, tha fillimisht Ramadani.

zekerija ramadani
zekerija ramadani

Ai iu referua edhe paraqitjes jo të mirë të ekipit në kampionat, ku sipas tij kushtet e ndeshjes ndaj Ferizajt kishin ndikuar dukshëm në lodhjen e lojtarëve.

“Ekipi nuk ishte mirë. E kam thënë edhe më herët që nuk duhet lojë të bukur por rezultate. Ndikimi më i madh ishte ajo ndeshja me Ferizajn në bar sintetik me 40 gradë celsius dhe u pa që nuk kemi freskinë e duhur. Në fundjavë tani kemi pushim. Duhet të rigjenerohet ekipi dhe të shohim gabimet e të përsërisim lojën që e kemi pasur në rundin e parë”, deklaroi Ramadani për KTV-në pas ndeshjes.

drita - differdange 2-1
drita differdange 2-1

Ramadani theksoi se motivimi më i madh për futbollistët mbetet vetë pesha e garës ndërkombëtare dhe mundësia për të shkruar histori me klubin gjilanas.