Aro Muriç ka shkëlqyer me Sassuolon – pritje spektakolare dhe notë e lartë ndaj Lazios

arijanet muric
Arijanet Muric

Portieri i përfaqësueses së Kosovës, Arijanet “Aro” Muric, ka debutuar në mënyrën më të mirë të mundshme me fanellën e Sassuolos, duke qenë protagonist absolut në fitoren 1‑0 ndaj Lazios në javën e tretë të Serie A për sezonin 2025/26.

Muric realizoi disa pritje vendimtare gjatë ndeshjes, ndërsa spikati veçanërisht me një ndërhyrje spektakolare ndaj sulmuesit të Lazios, Mattia Zaccagni, në një moment shumë delikat të ndeshjes. Ajo pritje, e cilësuar nga mediat italiane si “jashtëzakonisht e fuqishme dhe e vendosur”, është bërë virale në rrjetet sociale, ku tifozët dhe ekspertët e kanë vlerësuar lart paraqitjen e portierit kosovar.

Sipas platformës së njohur statistikore SofaScore, Muric ka marrë notën 7.7 për performancën e tij, duke qenë ndër më të mirët në fushë. Kjo vlerësim i lartë vjen si rezultat i ndërhyrjeve të suksesshme, sigurisë në dalje dhe kontrollit të qetë të topit në situata presioni.

Portieri 25-vjeçar iu bashkua Sassuolos këtë verë në formë huazimi nga Ipswich Town, me një opsion blerjeje në fund të sezonit. Ai vlerësohet aktualisht me një çmim tregu prej rreth 5 milionë eurosh, sipas të dhënave të Transfermarkt.

Megjithatë, në kampin e Sassuolos, ende nuk është përcaktuar zyrtarisht portieri titullar për sezonin. Trajneri Fabio Grosso ndodhet përballë një “ballotazhi” mes Muric dhe Stefano Turati, ndërsa pritet që javët e ardhshme të jenë vendimtare për të përcaktuar hierarkinë në portë.

Me një paraqitje të tillë, Aro Muric ka dërguar një mesazh të qartë: është gati të marrë rolin e titullarit dhe të bëhet një pikë kyçe për Sassuolon në këtë edicion të ri të Serie A. Paraqitja ndaj Lazios jo vetëm që rriti pritshmëritë për të ardhmen e tij në Itali, por konfirmoi edhe njëherë se Kosova ka në portë një kampion të vërtetë.