
Bayerni i Mynihut e ka fituar Superkupën e Gjermanisë. Të shtunën mbrëma, bavarezët triumfuan 2:1 në finale ndaj Stuttgartit.
Sulmuesi anglez, Harry Kane, i kaloi në epërsi Bayernit në minutën e 18-të, ndërsa Luis Diaz dyfishoi shifrat në minutën e 77-të, duke shënuar në debutim dhe duke ia dedikuar golin portugezit Diogo Jota, me të cilin ka luajtur më parë te Liverpooli.
Jota dhe vëllai i tij, Andre Silva, humbën jetën muajin e kaluar pas një aksidenti në Spanjë.
Jamie Leweling ngushtoi rezultatin në 2:1 në minutën e 93, por nuk rrezikoi fitoren e Bayernit.
Bayerni e mbylli edicionin e kaluar si kampion i Gjermanisë, ndërsa mbrojtjen e titullit e nis të premten në orën 20:30, duke pritur Leipzigun.