Basketbollisti gjerman Dennis Schröder është shpallur lojtari më i vlefshëm (MVP) i Eurobasketit, turne ku udhëhoqi përfaqësuesen e Gjermanisë drejt medaljes së artë. Gjermania triumfoi në kampionat me bilanc të përkryer, duke mposhtur Turqinë në finale me rezultatin 88:83.
Heroi i finales ishte pikërisht Schröder, i cili shënoi gjashtë pikët e fundit për Gjermaninë. Në momentet vendimtare, ai realizoi një kosh spektakolar mbi Ercan Osmanin dhe i çoi gjermanët një hap larg fitores. Me gjuajtjet e lira në sekondat e fundit, vulosi suksesin e skuadrës së tij.
Megjithatë, për lojtarin më të mirë të finales u shpall bashkëlojtari i tij, Isaac Bonga, i cili kontribuoi me 20 pikë, pesë kërcime dhe tre asistime.
Në pesëshen ideale të turneut u përfshinë dy gjermanë – Dennis Schröder dhe Franz Wagner – si dhe Alperen Sengun nga Turqia, Giannis Antetokounmpo nga Greqia dhe Luka Donçiç nga Sllovenia.
Medaljen e bronztë e fitoi përfaqësuesja e Greqisë, që mposhti Finlandën në ndeshjen për vendin e tretë me rezultatin 92:89.