
Mbrojtësi i Tottenhamit, Djed Spence, shkroi histori të martën mbrëma në Beograd, duke u bërë lojtari i parë mysliman që luan për përfaqësuesen e seniorëve të Anglisë, raportoi “Reuters”.
Ai hyri në lojë si zëvendësues në minutën e 69-të në fitoren 5:0 ndaj Serbisë, duke zëvendësuar Reece Jamesin.
“Isha i befasuar kur e mësova, por është një bekim. Shpresoj të motivoj fëmijët në mbarë botën që edhe ata mund të arrijnë këtë”, tha Spence, i lindur në Londër.
Ky debutim shënon një moment të rëndësishëm për komunitetin mysliman në Britani, që përbën rreth 6% të popullsisë, por është pak i përfaqësuar në futbollin profesionist.
“Është një moment festimi për myslimanët britanikë,” tha Ebadur Rahman nga organizata “Nujum Sports”, që mbështet mbi 400 sportistë myslimanë. “Djed është tani një model dhe ka thyer një barrierë të rëndësishme.”
Spence e nisi karrierën te Middlesbrough dhe iu bashkua Tottenhamit në vitin 2022.