
Një ditë para ndeshjes kthyese të raundit të dytë të Ligës së Kampionëve mes Dritës dhe FC Copenhagen-it, skuadra gjilanase ka përmbyllur përgatitjet me një seancë stërvitore dhe ka mbajtur një konferencë për shtyp, siç është traditë për skuadrën vendase.
Pamje nga senca stërvitore e Dritë
Në të kundërt, klubi danez ka zgjedhur të qëndrojë larg syrit të mediave dhe publikut. Pas mbërritjes në Prishtinë me një avion privat, FC Copenhagen vizitoi fushën dhe stadiumin “Fadil Vokrri” vetëm për 10 deri në 15 minuta, pa zhvilluar stërvitje dhe pa dhënë deklarata për mediat.
Pamja nga “vizita” e Copenhagenit në fushën e “Fadil Vokrri”
Pavarësisht humbjes në ndeshjen e parë, trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, dhe kapiteni i ekipit, Ron Broja, janë shprehur optimistë se mund të ofrojnë një performancë krejtësisht ndryshe në sfidën e së martës. Ata besojnë se skuadra e tyre ka potencial për të rivalizuar më fuqishëm dhe për të qenë më guximtare në lojë.
Ndeshja zhvillohet të martën në orën 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe do të transmetohet drejtpërdrejt nga KTV.
Megjithëse interesimi i publikut nuk është në nivelet e përballjeve të mëparshme të Dritës, si ato kundër Malmö në Mitrovicë apo Feyenoord dhe Antwerp në Prishtinë, priten rreth 5.000 tifozë në shkallët e stadiumit. Në mesin e tyre, do të ketë edhe përkrahës të FC Copenhagen-it, çka pritet t’i japë atmosferës së ndeshjes një dimension më të veçantë.
Ramadani dhe Broja optimistë përpara sfidës ndaj Copenhagen: “Do të japim gjithçka për të përmbysur”