
Pavarësisht suksesit historik në kualifikimin në Ligën e Konferencës, skuadra e Dritës po përballet me një krizë shqetësuese forme. Të dhënat flasin vetë: nga shtatë kundërshtarët e fundit, bardhekaltrit kanë arritur të mposhtin vetëm njerërin – Differdange.
Ekipi i vetëm i mposhtur është Differdange, ekip me të cilin Drita është përballur katër herë – dy herë në eliminatoret e Ligës së Kampionëve dhe dy herë në play-off të Ligës së Konferencës. Ndaj gjashtë kundërshtarëve të tjerë, ekipi ka pësuar humbje ose ka barazuar.
Bilanci negativ përfshin:
-
Dy humbje ndaj Kopenhagenit
-
Një barazim dhe një humbje ndaj FCSB-së
-
Humbje ndaj Ferizajit dhe Drenicës në Superligë
-
Barazime në transfertë ndaj Prishtinës (në “Fadil Vokrri”) dhe ndaj Llapit në Podujevë
Ky start zhgënjyes ngre shqetësime për formën e skuadrës, që aktualisht gjendet në vendin e parafundit në tabelë, me vetëm dy pikë të tubuara – aq sa ka edhe Llapi, që mban vendin e fundit. Drita ndodhet shtatë pikë larg liderit aktual, Dukagjinit.
Sindroma e vitit të dytë për Ramadanin?
Një tjetër statistikë intriguese lidhet me trajnerin Zekerija Ramadani. Historikisht, ai është përballur me vështirësi serioze në sezonin e dytë në krye të ekipeve të tij. Pas fitimit të titullit me Trepçën ‘89 dhe më pas me Prishtinën, Ramadani u shkarkua përpara përfundimit të sezonit vjeshtor në të dy rastet.
Drita është përjashtim – ekipi i vetëm që ai po drejton për sezonin e tretë radhazi. Megjithatë, simptomat e një “sëmundjeje të njohur” duket se po përsëriten. Në 12 ndeshjet e këtij sezoni 2025/26, Drita ka vetëm katër fitore – të gjitha ndaj Differdange.
Nëse situata nuk përmirësohet së shpejti, kriza aktuale mund të kthehet në një kërcënim real për objektivat sezonalë të klubit, por jo edhe për pozitën e trajnerit në stolin gjilanas, të cilin zyrtarët e klubit me të drejtë e kuptojnë që këto gjëra mund të ndodhin në futboll.
Përndryshe, Ramadani është ndër trajnerët më të paguar në Superligë, paga e tij varion mbi 7.000 euro, duke mos i llogaritur bonuset e kualifikimit në Konferencë Ligë, apo premitë tjera.
Drita të dielën në fushën e saj pret debutuesit në Superligë, Prishtinën e Re. Ndeshja i përket javës së 5 të AlbiMall Superligës dhe nis nga ora 15:00.